Një kalë me “rrobat e mbretit”

Idea ishte e përbashkët – Grigori këmbëngul se qe e imja në fakt po, për arsye modestie, po e vë edhe atë në pjesë – një ditë Prilli të vitit të largët 2006. Për një arsye që ende nuk e kam të qartë, Grigori vendosi të ecë më vete, me disa miqë të tjerë të vetët, më të vjetër nga unë. Në moshë dhe në «kurbet».

U pikëllova për momentin, po inat nuk i mbajta. Ku i mbahet inat Grigorit?! Idesë tonë, Grigori me miqtë i ndryshuan edhe emrin. Po helbete, nuk mund të rrisësh, pa një shtrëngim në stomak, fëmijën që të ka lënë në duar, bashkëngjizësi. Dhe mirë bëri. Kështu më nxori edhe mua nga sikleti, se nuk më ka ngelur mendja tek «njërkat».

PEGASI i Grigorit dhe i miqve të tij, po fluturon këto vite. Ngadalë, me ulje dhe ngritje, plot hezitim e ndrojtje – siç është edhe vetë Grigori- por rëndësi ka që, po fluturon, ende. Dhe sikur Grigori të shihet ndonjëherë në «pasqyrën e talentit», dhe të kuptojë se ç’fsheh brenda vetes, me siguri që, të dy do kalërojnë më mirë, më lart, më bindshëm, më gjatë.

Le të lexojmë më poshtë, ç’thotë Grigori për numrin e 8 të PEGASIT të tij dhe të miqve. 

Më në fund, doli, qarkulloi “Pegasi” i ri. Ja ku është tani. Aty, tek porta juaj. E kalërojnë kësaj here kalorës me famë të letërsisë dhe arteve. Të vjetër e të rinj. Të njohur dhe të panjohur. Fisnikë të tillë si Llosa, Gjoza, Lazri, Dhimitriu – i bëjnë nder “Pegasit”-8, në kopertinën e punuar nga kubisti ynë, Leonidha Bullgari, që drejtoi dhe përshtati për lëndën punën e një bordi piktorësh të talentuar, si Agron Dingo e Limbrand Dhrami. Krahas tyre, puna profesionale e fotoreporterit tonë, Armand Zogaj, që fotografon ashtu siç shkruan poezitë e veta. Dhe unë, që i hyra një pune të tillë, siç është faqosja, ndonëse nuk është brenda “kompetencave” të mia, vetëm dhe vetëm pasi u ndjeva përgjegjës për këtë brum të mrekullueshëm artistik, që më besuan kolegët dhe miqtë.

“Editoriali” i numrit, nga Miho Gjini. Prezanton rinisjen e një ëndrre jete, që e projektuam së bashku, përpara tre vjetësh. Mirëpo është si porsa ta kemi bërë tani startimin. “Pegasi” ka ndryshuar tashmë. Bordit tonë drejtues iu shtua “mosketieri i tretë”, Thoma Naka, pronari me origjinë shqiptare i entit të fuqishëm botues këtu në Greqi, “ORAMA Editions”, i cili, falë bujarisë dhe dashurisë së tij për letërsinë dhe artet, u bë garantuesi i fluturimeve tona të ardhshme me “Pegasin”, me kalin tonë të përbashkët.

“Bereqeti”

 “Qytetari “lumpen” i demokracisë së letrave”. Kush është ky shkrimtar, që e kanë hymnizuar Kokto, Zint dhe Sartri? Është Zhan Val Zhani, që u bë… Viktor Hygo, thotë Skënder Demolli, në “Quiz”-in tradicional të numrit dhe shpjegon, se përse është konsideruar “krijues i Perandorisë së Të Keqes”.

Një tufë me lule. Rubrika “Ata që ikën…” dhe përkushtimi i gjithëhershëm i Agollit: “O ti, që largohesh nga vatra e parë…”. Të larguarit e mëdhenj të kësaj kohe: Ndoc Gjetja dhe Llazi Serbo, bardi i dashurisë njerëzore dhe aristokrati i skenës. Jeta, vepra, nëpërmjet materialesh dokumentareske dhe fotografish ekspresive. Dhe e veçanta që sjell “Pegasi”, ekskluzivisht për lexuesit e tij: ese të mrekullueshme, me fakte dhe detaje jetësore, nga bashkëkohës dhe miq po kaq të njohur të të përkushtuarve të humbur. Roland Gjoza me esenë prekëse “Ndoc Gjetja me fanarin e Diogjenit” dhe Miho Gjini me esenë tronditëse “Takimi i fundit me Llazi Serbon”.

Tek “Ditarët” e numrit, Meri Adamopulu, mikja jonë, kritikja e njohur greke e Suplimentit po kaq të njohur artistik “Idhees”, tek “Ta Nea” e Athinës,

nxjerr në shesh “të palarat” e artistëve të mëdhenj të arteve figurative, që zakonisht “harrohen” nga librat e historisë së artit.

Një mik i dashur dhe i largët, Faruk Myrtaj, prezanton një poet, për të cilin shprehet: “Është nga ata, të Sheh Karbunarës…”, Izet Shehun, që thotë nga ana e tij, se poezitë e “angazhuara” rrezikojnë artin e tyre. Dhe e vërteton këtë, me angazhimin e tij rigorozisht poetik, në ciklin, me të cilin i bën nder “Pegasit”.

Vasil Vasili, shkrimtari dhe eseisti shqiptar nga Patra, me “Zbulimi i një formule brenda Njeriut”, mikpritet tek teorikja jonë “3 ese në 1”. Xhojsi, Sabato, Servantes – në mikroskopin e eseistit, për të dalë tek formula: Të gjitha rrugët të çojnë tek Njeriu.

Naum Prifti rivjen tek “Pegasi”. Me tregimin “Na duhet një spiun për ministrin”. Grotesku në tërë madhështinë. Një dokumentar i pashembullt artistik për nomenklaturën më të lartë të diktaturës. Një akuzë e pashembullt. Dhe arti i madh i Priftit.

Lazër Stani në esenë origjinale “Provincializmi”. Sjell shembuj dhe fakte nga e përditshmja provinciale në Tiranë, në Prishtinë dhe Shkup, duke ia përgjasuar këtë fenomen atij botërorit. Dhe jep fakte konkretë, të shumtë dhe të pakundërshtueshëm…

“I kurorëzuari” i numrit: nobelisti i sivjetshëm, Mario Vargas Llosa. Zotëria ime sjell një ese të atyre ditëve, kur lajmi i papritur i dhënies së “Nobelit” kandidatit “prapa liste”, latinoamerikanit Llosa, tronditi dhe befasoi botën letrare. “14 minuta gjer tek përjetësia” – nga çasti kur lajmi mbërriti nëpërmjet telefonit tek veshët e shkrimtarit, gjer tek publikimi i tij zyrtar nga Akademia e Stokholmit. Një jetë e tërë brenda këtyre 14 minutave.

“Kafe me fqinjët”

Në takimin tradicional të një mëngjesi ballkanas, për të pirë një “Kafe me fqinjët”, ju ftojmë në shoqërinë e njërit prej shkrimtarëve më shpresëndjellës të letërsisë së sotme greke, mbase tregimtarit më të mirë të saj, Sotiris Dhimitriu. Mik i shpallur i shqiptarëve (dhe i yni, natyrisht), ngaqë disa libra të tij të sukseshëm janë me temë shqiptare, pranoi me qejf, që nëpërmjet “Pegasit”, t’i drejtohej ekskluzivisht botës shqiptare. Bisedoi, u fotografua me ne, madje iu përgjigj pyetjeve nga më “të bezdisshme”, që i bëri për llogari tonë, miku dhe kolegu i tij, shkrimtari tjetër i njohur epiriot (i anës sonë të kufirit) Telemak Koça.

“Panteoni evropian i vargjeve”: Jarosllav Seifert (Çeki), Tomas Transtromer (Suedi), Cezare Pavese (Itali) dhe Joan Margarit (Spanjë). Ndër korifenjtë e poezisë moderne evropiane, lavdi letrare në vëndet përkatëse. Material fotografik, blice esesh për jetën dhe veprën, poezi të tyre në origjinal, në gjuhët amtare, shqipëruar prej nesh pikërisht ato, që të na gjykojnë edhe më skeptikët. Një udhëtim poetik, që do të vazhdojë në numrat e ardhshëm…

Akademiku Rexhep Qosja hyp “me këmbë të mbarë” përsipër jelës së “Pegasit”. Për rubrikën “Arti dhe pushteti” është dërguar posaçërisht eseja e tij “Si mund t’i humbasë të gjitha betejat Sizifi”. Rrëfim tronditës! Së bashku me disa gravura dhe skica tejet ekspresive, nga artistë kosovarë, që ilustrojnë materialin e tij.

Graham Grin, shkrimtari britanik i teatrit, nga korifenjtë botërisht në llojin e tij, sillet për ju në pamjen e tij më njerëzore, nga Katerina Dhima, nëpërmjet tregimit të shqipëruar prej sa, posaçërisht për ne, “Dy njerëz me ndjenja delikate”.  Lexon tregim apo shikon një film? Ikona të gjalla, dialogje mahnitëse dhe një njerzillëk që ulërin. E veçanta brenda së zakonshmes.

Vjet u nda nga ne Din Mehmeti, poeti i madh i Kosovës dhe i mbarë kombit. E sjell Prof. dr. Murat Gecaj, që e ka njohur poetin nga afër, gjatë vizitave në Kosovë dhe e ka intervistuar po aty.

“Zëra nga larg”

Albana Mëlyshi-Lifschin, e pranishme gjithmonë në flatrat e kalit tonë fluturues, është autorja e një Antologjie “Zëra nga larg”. Djem dhe vajza të reja, anembanë botës, me origjinë shqiptare dhe me dëshirën e përbotshme për të shkruar, përbëjnë këtë Antologji. Ç’u bënë këta të rinj? Humbën, triunfoi pasioni i tyre për letrat? Këto pyetje jetike i ngre, kush tjetër, njëri nga më të talentuarit dhe të suksesshmit e letërsisë sonë jashtë kufinjve kombëtarë, Roland Gjoza.

“Portreti” i numrit: Alda Merini, “Një bletë e vogël e zemëruar” – një nga zërat më të pastra të poezisë së sotme italiane. Jetë tejet e çuditshme, art absolutisht i madh, i  pavdekshëm. Një çudi poetike! E shikon edhe tek poezitë e shqipëruara nga i talentuari i përkthimeve, Aqif Hysa.

Tregimi i dytë: një e porsashfaqur tek “Pegasi”, por që kur u shfaq në letrat shqipe, vite më parë, askush nuk dyshoi në talentin e saj. Zhaneta Lazri – dishepulli më i ri i Poradecit dhe i Kutelit, pogradecarëve të mëdhenj, bashkëpatriotëve të saj – vjen me një baladë poetike në prozë, tregimin “Thëngjij në hirin e viteve”.  Poezi dhe prozë bashkë. Realizëm dhe romantizëm. Një art që shpërrthen kufinj.

 “Në fokus”-in tonë të tanishëm, Dilaver Baxhaku, nga Italia, ku jeton dhe meleton visaret e harruara të kombit, sjell At Giussepe (Zef) Valentinin, për të cilin Papa Pavli i VII-të ka thënë: “… duajeni At Valentinin, se ai u donte me zemër, çmojeni, sepse ai punonte pa prerë, për t’ia bërë të ditur botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike”, tek prezantimi “Jeziuti, që na dashuroi me zemër”.

Fatmir Minguli, kritiku nga Durrësi, më kishte premtuar një ese për Ricosin. Nuk ia kisha thënë asokohe, por e vërteta qe, se nuk isha entusiazmuar dhe kaq. Ç’të thuash të re për Ricosin? Por ato që thotë Minguli për gjigandin grek të poezisë, tek eseja e tij “A ristudiohet poezia e Ricosit?”, unë as parë, as dëgjuar i kisha kund. Më mahniti. Zbulova një Ricos tjetër dhe kuptova, se sa të vegjël jemi në universin e artit…

Një mik nga të vjetrit, Vaid Hyzoti, me banim në Rixhvud të Nju Jorkut, i sjell lexuesit ciklin poetik “Mbi ne ecën rruga…”. Flet për të Ndue Lazri, nga Bolonja (eh, si u shpërndanë miqtë e dikurshëm), poeti dhe gazetari: “Nuk e di pse, por ja që thonë, që loti nuk është për ne, burrat. Por ja që Vaid Hyzoti ta shkul me zor, që nga thellësia e shpirtit. Është Migjen i kohës së grataçieleve…”

“Muzikë dhe arte figuartive”: dy shkrime. Dy prurje tejet të veçanta. Për muzikën: “Sazexhinjtë e mbretit”, nga Vepror Hasani. Sazexhinjtë e famshëm të Korçës, Hajroja i Ibrahimit, Demka i Hajros, Ylli i Abazit, kryeartistë popullorë. Të gjithë të famshëm, muzikantë me nam. Për artet figurative: “Piktori i provincës” – Ndue Pepa, piktori nga Laçi. E njohu kritiku i artit, Miho Gjini, për t’i përkushtuar pastaj një shkrim prekës, plot dashuri dhe njohje profesionale.

Luixhi Pirandelo është edhe një tregimtar i rrallë, përveç se dramaturgu më i madh i Apenineve. R. Gjoza përkthen për ju tregimin e tij, “Prekja e butë e barit”. Dhe ne vetëpyetemi: si fluturon “Pegasi”, me pesha të tilla arti?!

“Ekskluzivja” e radhës është një temë, sa e ditës, aq dhe e gjithkohëshme: “Shtypi – ky pushte absolut mbi masat”. Nga bota greke e artit sjellim një shembull të shkëlqyer: Pavllos Nirvanas, shkrimtari dhe gazetari i shquar athinjot i fillim shekullit. Sjell në një skicë-reportazh ndodhinë e para një shekulli., botuar tek “ESTIA” athinjote e 22 shkurtit 1911 (!) Dhe më e habitshmja: të ngjan se flet për sot. Kaq të pandryshueshme janë gjërat?

Poeti i tretë, i mikpritur nga “Pegasi”, është Luan Xhuli. Jeton në Athinë, me ne, ndajmë bashkë gotën dhe vargun. “Xhuli është fqinji, miku ynë, – thotë për të në shtypin vendas, Tea Vasiliadu, kritikja e respektuar greke. – Na bën që shoqërinë, miqësinë, lidhjet tona me fqinjët shqiptarë t’i vlerësojmë me tjetër ngjyrë…”

“One man show”

Një panoramë e gjerë tek “Kinematografia”, një mozaik shkrimesh, intervistash, esesh. Dhe jo më kot: Fimi “Akademia Platon” – pasqyra më besnike e jetës sonë emigrante, këtu, në Greqinë mikpritëse. Eksklusiviteti tjetër kinematografik: Anketa “Why cinema now?” – “Përse xhiroj filma sot?”. Përgjigjen regjisorë të famshëm, nga të katër anët e botës. Shikoni emrat: G. Paskalieviç, F. Akin, K. Gavras, K. Louc, T. Kitano, Xh. Seils, V. Venters, T. Angelopulos. Një rapsodi kinematografike…

“One man show” – “Shou për një”. I ftuari i radhës: Xheremi Airons, “Xhentëlmeni britanik i skenës”. Erdhi para ca kohësh në Athinë, shkëlqeu në “Pallatin e Muzikës” së kryeqytetit, me “A christmas carol” të Çarls Dikensit. “Pegasi” natyrisht që ishte aty.

Dhe mjalti lihet për në fund, apo jo? Jeni gati, të çliroheni paksa nga tabutë dhe të riktheheni në adoleshencat tuaja të largëta apo të afërme, për të parë trokitjen e parë të erotizmit në jetën tuaj? Mos u ligështoni! E bën Roland Gjoza për ju, tek tregimi i mrekullueshëm “Libri i vënë poshtë”.

“Mendimi kritik dhe estetik” i përkushtohet një krijuesi bashkëkohës mirditas, Ndue Dedës. E sjell M. Gjini, në një shkrim të mrekullueshëm.

Zhan Pol Sartr dhe Alber Kamy, ballëpërballë tek “Bashkëkohës dhe kundërshtarë”. U dashuruan dhe u urryen një jetë, si rrallëkush. Bashkëpunuan dhe u luftuan si çakej. Ky ballafaqim gjigandësh, kur mbaroi dhe u faqos në revistë, më ngjau se trandi edhe “Pegasin” fluturues…

Sadik Bejko bën një “in memoriam” për Jorgo Bllacin. Mjeshtërisht. Me dashuri, me revoltë. Zbulon dhe akuzon. Dhe fjalët e Fan Nolit për Bllacin: “Jam i lumtur, që pyjet e mëmëdheut paskan bilbila të rinj, që aq bukur ligjërojnë…”

Festim Zaçe, i palodhuri ynë, bën edhe detyrën e kronikanit. Veprimtari të larmishme, të cilat nuk mund të mendohen pa praninë e “kalit fluturues”. Se duhen përhapur gjithandej shariqet artistike të Athinës: Ekspozita Vetiake e Librand Dhramit, libri i ri i Vasil Zenos, greko-shqiptarit intelektual, veprimtaria promovuese e të cilit u organizua nga “Liter-Arti”, si edhe takimi kaq i suksesshëm i shkrimtarëve emigrantë shqiptarë, me kolegët e tyre grekë, të së njohurës EEL – Shoqata më e madhe dhe më e vjetër shkrimtarësh vendas.

Dhe… “E orës së fundit…” Kur bënim gati të dorëzonim lëndën për shtypshkronjë, plasi sihariqi. Bujar Aliamani, regjisori shqiptar që jeton mes nesh, në Athinë, e bëri përsëri mrekullinë. “Amnistia” e tij triunfoi në “Berlinale”-n ndërkombëtare të filmit. “Kali” ynë, tashmë, qe gati të zinte qiejt.

Epilog

Nuk kishte burrë, që ta mbante më gjatë atin fluturues të letërsisë dhe arteve, “Pegasin”-8, nën zotërimin tonë.  Tashmë kishte marrë qiejt. Rrugës për tek ju… Hapini portën, miq dhe mikesha! Është kaq i bukur dhe i mbarë kali ynë! Keni për ta parë… Dhe, nëse doni ta keni atë mysafir të rregullt, abonojuni! Ua them me zemër: do na ndihmoni shumë, edhe ne! Do na bëni të bindemi, se ia vlen të kujdesesh për një kalë të tillë.

GRIGOR JOVANI

drejtor i “Pegasit

 

 

Abonimet Vjetore

 

“PEGASI”

Revistë Periodike për Letërsi dhe Arte

Greqi: 50 euro

Shqipëri: 3000 lekë

Europë: 70 euro

Amerikë, Kanada, Australi: 100 $

Numri i llogarisë bankare:

NATIONAL BANK OF GREECE

GR 1301101950000019576956916

Çmimet e abonimeve përfshijnë edhe dërgesat postare.

Lutim abonuesit, të lajmërojnë redaksinë për abonimet,

si edhe të dërgojnë nëpërmjet postës elektronike të revistës

adresat e tyre.

Ju falenderojmë!

Fluturim të mbarë dhe të këndshëm,

nëpërmjet “Pegasit” tonë,

në qiejt e letërsisë dhe arteve!

Advertisements